Xavi Hernandez është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Benficas, në rast se Jose Mourinho largohet nga klubi për t’u rikthyer te Real Madridi.
Mediat portugeze raportojnë se drejtuesit e klubit nga Lisbona po përgatiten për një verë me shumë lëvizje në pankina dhe presidenti Rui Costa dëshiron të ketë alternativa të gatshme nëse situata ndryshon papritur.
Emri i Mourinhos ka rifituar forcë në Madrid, aty ku drejtuesit e Realit po kërkojnë një trajner me eksperiencë, personalitet dhe ndikim të menjëhershëm.
Nëse portugezi vendos të rikthehet në “Santiago Bernabeu”, Benfica do të detyrohet të reagojë shpejt për të gjetur pasuesin e tij.
Në këtë skenar, Xavi konsiderohet një profil shumë interesant për klubin portugez.
Ish-trajneri i Barcelonës është aktualisht i lirë pas largimit nga katalanasit dhe nuk ka nevojë të negociojë me asnjë klub tjetër, gjë që e bën një opsion më të lehtë dhe më të arritshëm për Benficën.
Drejtuesit e klubit vlerësojnë stilin e tij të lojës, filozofinë me posedim të topit dhe aftësinë për të zhvilluar futbollistë të rinj.
Te Benfica besohet se profili i Xavit përshtatet me identitetin tradicional të skuadrës, e cila historikisht ka preferuar trajnerë me futboll ofensiv dhe kontroll të lojës.
Përvoja e tij te Barcelona, ku fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës, si dhe promovimi i disa talenteve të rinj, konsiderohen pika të forta në favor të tij.
Përveç Xavit, në listën e kandidatëve për pankinën e Benficës përmenden edhe Thiago Motta, Andoni Iraola dhe Marco Silva.
Megjithatë, situata e tyre duket më e komplikuar, pasi klubet aktuale nuk janë të gatshme t’i lënë të lirë lehtësisht.
Për momentin, gjithçka mbetet e lidhur me vendimin përfundimtar të Mourinhos.
Nëse ai rikthehet te Real Madridi, Benfica pritet të përshpejtojë menjëherë kontaktet për trajnerin e ri, ndërsa emri i Xavi Hernandez po fiton gjithnjë e më shumë terren si një alternativë serioze për stolin e klubit portugez.