Karim Benzema është i ndërgjegjshëm që shumë shpejt duhet të marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Sulmuesi 37-vjeçar francez, është në fundin e kontratës që nënshkroi në qershorin e vitit 2023, kur iu bashkua Al Itihad në Arabinë Saudite.
Një kontratë faraonike me shifra marramendëse, por të cilës po i vjen fundi, duke lënë lojtarin në mëdyshje për të ardhmen e tij.
Vetë futbollisti ka sqaruar se nuk ka marrë ende asnjë vendim, se ka oferta, por do i jepte prioritet qëndrimit në Arabinë Saudite deri në fundin e karrierës.
“Kontrata ime këtu është pranë përfundimit, kjo është e vërtetë. Nuk mund të them ende nëse do të qëndroj apo do të largohem; varet nga shumë gjëra. Do të mbush 38 vjeç në dhjetor. E shoh veten duke luajtur futboll për dy vjet të tjera. Jam fizikisht në formë, punoj shumë dhe luaj futboll, e dua futbollin, e shijoj. Të shohim çfarë ndodh, çfarë mendon klubi.
Më pëlqen të flas ballë për ballë dhe të dëgjoj se çfarë mendojnë ata. Gjëja më e mirë për mua është të qëndroj këtu, por jo vetëm për një vit ose dy. Nuk mund ta bëj.
Mendoj se niveli i futbollit në ligë po bëhet gjithnjë e më i mirë. Kam qenë këtu prej tre vitesh, po bëhet gjithnjë e më mirë dhe vazhdon të përparojë. Është e vërtetë që kam oferta në Europë. Duhet të vlerësoj gjithçka, të zgjedh me kujdes dhe të shoh se ku ndihem rehat, pa harruar se jam i lumtur këtu dhe se të gjithë më duan. Por ta shohim”, tha Benzema.


