Beppe Bergomi komentoi eliminimin e Italisë nga Botërori pas humbjes me penallti ndaj Bosnjes, në finale të “play off”-it: “Tri raste për të shënuar golin e 2-0 Italia i pati; Kean, Esposito dhe topi i Barellës për Dimarcon, por menjëherë pas asaj erdhi barazimi. Mendoj se duhet të rifillohet me këto lojtarë, nuk mund t’i ndryshosh të gjithë. Me Mancinin e rifilluam mirë, sepse ai pati një vizion. A mund të kemi vizion me të njëjtët lojtarë? Nuk e di”.
Ish-kapiteni i Interit theksoi më tej: “Teknikisht dhe taktikisht, mendoj se Bastoni po kalon një moment të vështirë, e pamundur ta mohosh. Nëse do ta aktivizosh, duhet ta vendosësh në kushtet më të mira, jo si qendërmbrojtës në mbrojtjen me tre”.
Kujtojmë se Bastoni u përjashtua me karton të kuq në pjesën e parë, pas një ndërhyrjeje për të parandaluar një sulm kundërshtar, dhe e la Italinë që nga minuta e 40-të me 10 lojtarë në fushë. Moment vendimtar për ta anuar “peshoren” nga ana e vendësve në Zenica.