Monday, 9. November 2026
Sport

Berisha e Shehu flasin për ndeshjet e nëntorit, fokusi te Finlanda

GS 09/11/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, të hënën ka nisur grumbullimin për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve kurse në konferencën për shtyp janë paraqitur Etrit Berisha dhe Juljan Shehu.

Shqipëria do të përballet me Finlandën dhe Bjellorusinë në dy ndeshjet e fundit të këtij sezoni në Ligën e Kombeve, ndërsa synon vendin e parë në grup dhe promovimin në ligën B të kësaj gare.

Kombëtarja shqiptare është e para në Grupin C1 me 9 pikë të mbledhura, duke lënë pas vetes Bjellorusinë e Finaldën me nga 7 pikë, ndërsa San Marino pa pikë zë vendin e fundit në tabelë.

Portieri Berisha është fokusuar te ndeshja me Finlandën, e cila luhet të enjten në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

“Duhet të fokusohemi te ndeshja e tanishme, gjithçka e kemi në dorën tonë. Ekipi do të paraqitet mirë, sepse mendoj se dëshira është shumë e madhe. Është me shumë rëndësi kjo ndeshje dhe shpresoj ta fitojmë. Kemi lojtarë me kualitet, por nuk duhet nënvlerësuar assesi Finlanda”, ka thënë Berisha, i cili pret përkrahjen e tifozëve.

Edhe mesfushori Shehu ka thënë se pret fitore në duelin me Finlandën, ndërsa ka shtuar se beson që Shqipëria do mbyllë këtë kampanjë në pozitën e parë në grup.

“Ta bëjmë lojën për të marrë rezultatin maksimal. Patjetër që është objektiv të jemi në krye. I vetmi ndryshim është se luajmë në shtëpi. Mbështetja e tifozëve është një shtysë e madhe për ne që të marrim maksimumin nga kjo lojë”, ka thënë Shehu.

Tri ditë pas ndeshjes me Finlandën, Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë në Budapest të Hungarisë.

Teilen: