Mesfushori kosovar Bersant Celina ka konfirmuar në një intervistë për mediumin suedez Fotbolldirekt se ka zhvilluar një bisedë me trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.
Sipas Celinës, trajneri e ka kontaktuar personalisht me telefon dhe ai mund të jetë pjesë e listës së të ftuarve për ndeshjet e muajit tetor, ku “Dardanët” do të përballen me Slloveninë dhe Suedinë.
“Nuk e di nëse do të ftohem apo jo. Kam biseduar me trajnerin e Kombëtares së Kosovës. Mundësia ekziston – ose tani, ose në të ardhmen. Varet nga ai”, u shpreh Celina.
Ndërkohë, ai po kalon një formë të mirë në kampionatin suedez. Fundjavën e kaluar, Celina shënoi një eurogol në barazimin 1-1 të AIK-ut, por sipas tij, nuk ishte goli më i bukur i karrierës.
“Ishte një gol i bukur, por kam realizuar edhe gola më të mirë,” tha ai.
29-vjeçari ka pasur një sezon të suksesshëm me AIK-un, duke shënuar tetë gola dhe dhënë pesë asistime në të gjitha garat deri më tani. /ATVLIVE.TV