Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në një segment të rrugës dytësore Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve për montimin e trarëve të mbikalimit të Nyjes së Laknasit. Kufizimi do të nisë mbrëmjen e sotme (19 nëntor) dhe do të vijojë deri në orët e para të mëngjesit të 20 nëntorit.
Sipas njoftimit të ARRSH-së, bllokimi do të prekë segmentin nga Mbikalimi i Kamzës deri te Mbikalimi i Kasharit, në krahun e djathtë, në të dyja senset e lëvizjes.
Punimet do të kryhen në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III” dhe do të zhvillohen gjatë orarit 22:00-05:00.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se kontraktori ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe garantimin e sigurisë rrugore në zonën ku do të kryhen punimet.
Në njoftimin e tij, ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të planifikojnë paraprakisht lëvizjet, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur, si dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.
“U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre, të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
/rtsh.al/