Pas Atletico Madridit, tri ekipet e radhës që kualifikohen për në raundin e 1/16-ve janë: Bodo/Glimt, Bayer Leverkusen dhe Newcastle.
Bodo/Glimt është padyshim surpriza më e madhe dhe më e bukur e këtij sezoni në Champions League. Pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë, sot norvegjezët fituan 1-2 në “San Siro”, duke u kualifikuar për në 1/16-at me rezultatin e përgjithshëm 5-2.
Sfida u zhbllokua në minutën e 58-të, ku pas një gafë të pafalshme të Manuel Akanji, ishte Jens Petter Hauge që dërgoi topin në portën e Yann Sommer. Tentativa e parë e Blommberg u ndal nga Sommer, por jo e dyta.
Në minutën e 72-të, Hakon Evjen dyfishon shifrat për Bodo/Glimt, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Jens Petter Hauge. Në minutën e 76-të, Alessandro Bastoni ngushtoi shifrat në 1-2, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit.
Pas fitores në ndeshjen e parë në Baku 1-6, në sfidën e kthimit të luajtur sonte në “St.James’Park”, Newcastle fitoi 3-2. Në minutën e 5-të ishte Sandro Tonali, i cili shënoi pas një aksioni të gjatë, nisur pikërisht nga këmbët e tij. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për “Qymyrxhinjtë”.
Pjesa e dytë nisi vrullshëm, ku u shënuan tri gola të shpejtë. Camilo Duran shënoi në minutën e 50-të për Qarabag, pas një kundërsulmi të shpejtë. Në minutën e 52-të, Sven Botman shënon me kokë, pas topit që mori nga Kieran Trippier nga goditja e këndit.
Në minutën e 57-të, penallti për Qarabag pas prekjes së topit me dorë brenda zonës nga Dan Burn. Godet Jankovic, pret Ramsdale, por ishte Cafarquliyev që ndoqi aksionin dhe dërgoi topin në rrjetë në tentativën e dytë. Newcastle fiton me rezultatin e përgjithshëm 9-3.
Në sfidën e fundit, Leverkusen barazoi pa gola në shtëpi ndaj Olympiakos. Gjermanët shkojnë më tutje pas fitores 0-2 në Pire, një javë më parë.