Ndeshja e sotme mes Bolonjës dhe Interit do të jetë shumë interesante për klasifikimin në Serinë A, pasi vendasit duan të ruajnë vendin në zonën Champions, ndërsa zikaltërit të shkëputen përsëri nga Napoli. Por ky takim mes palëve është i veçantë edhe për Kristjan Asllanin.
Te Bolonja nuk e kanë fshehur dëshirën pë të marrë në radhët e tyre mesfushorin shqiptar dhe trajneri Vinçenco Italiano e ka kërkuar edhe në vitet kur ishte në bankinën e Fiorentinës. Interi nga ana tjetër ndjek disa futbollistë të Bolonjës dhe ndeshja e sotme pritet të jetë një mundësi e parë mes drejtuesve të klubeve për të lënë takim për të diskutuar strategjitë e merkatos.
Asllani nuk po gjen hapësirat e duhura te Interi dhe kalimi te Bolonja mund të ishte një mundësi e mirë për mesfushorin shqiptar, duke pasur parasysh ambiciet në rritje të kësaj skuadre e cila po bëhet pjesë e vazhdueshme e grupit të atyre që luftojnë për një vend në Ligën e Kampioneve. Një rol protagonisti në këtë ekip mund ta ndihmonte Asllanin të bënte hapin cilësor që pritet prej tij, për t’u kthyer në një të padiskutueshëm në Serinë A.
PANORAMASPORT.AL