AC Milan ka nisur të shqyrtojë mundësitë për përforcimin e skuadrës në afatet e ardhshme kalimtare, duke kthyer vëmendjen nga Manchesteri. Në fokus janë Bruno Fernandes dhe Mateo Kovačić.
Sipas raportimeve të mediumit italian MilanNews, drejtuesit e Milanit po monitorojnë disa situata te klubet e Manchesterit, me synimin për të përfituar nga mundësitë që mund të krijohen në afatin kalimtar të janarit dhe gjatë verës së ardhshme.
Strategjia e klubit italian përfshin veçanërisht futbollistët që kanë kontrata në skadim brenda 18 muajve të ardhshëm. Një qasje e tillë ishte ndjekur edhe në rastin e Mario Gila, i cili iu bashkua Milanit një vit para përfundimit të kontratës së tij me Lazion, transmeton ORAinfo.

Bruno Fernandes, objektivi kryesor për verën
Njëri prej emrave që po ndiqet me interes është kapiteni i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes.
Kontrata e mesfushorit portugez skadon në qershor të vitit 2027, megjithëse në marrëveshje ekziston edhe një opsion për vazhdimin e saj. Përpjekjet e Manchester Unitedit për ta bindur lojtarin të rinovojë kontratën deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara.
Fernandes thuhet se është i interesuar të provojë një aventurë të re, ndërsa Milani po e sheh situatën e tij si një mundësi potenciale për afatin kalimtar të verës.
Portugezi ka qenë ndër futbollistët më të rëndësishëm në Premierligë gjatë viteve të fundit. Deri më tani, ai ka regjistruar 341 paraqitje zyrtare me fanellën e Manchester Unitedit, duke realizuar 113 gola dhe duke dhuruar 111 asistime.
Përveç cilësive teknike, Fernandes do t’i sillte Milanit edhe përvojë dhe lidership, veçanërisht në rast se Luka Modrić largohet nga skuadra.
Një tjetër faktor që mund ta lehtësojë transferimin është e kaluara e portugezit në futbollin italian, ku ka luajtur për Novaran, Udinesen dhe Sampdorian. Kjo përvojë mund ta ndihmonte të përshtatej më shpejt me futbollin e Serie A.
Gjithashtu, Fernandes ka një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin Ruben Amorim, me të cilin ndan edhe të njëjtën agjenci përfaqësimi. Milani kishte shfaqur interesim për mundësinë e transferimit të tij edhe gjatë afatit kalimtar të verës.
Kovacic, alternativë për afatin e janarit
Një tjetër emër që po shqyrtohet nga drejtuesit e Milanit është mesfushori i Manchester Cityt, Mateo Kovačić.
Kroati, i cili është një emër i njohur për futbollin italian, ka kontratë deri në fund të sezonit dhe mund të bëhet një mundësi interesante për kuqezinjtë që në afatin kalimtar të janarit.
Milani po kërkon të shtojë përvojë dhe cilësi në mesfushë, ndërsa Kovačić mund të ofrojë pikërisht atë që i nevojitet skuadrës.
Largimi gjithnjë e më i mundshëm i talentit të ri Christian Comotto mund ta shtyjë klubin të kërkojë një futbollist me më shumë përvojë. Në këtë aspekt, Kovačić shihet si një alternativë e vlefshme, nëse kushtet financiare dhe paga e tij janë të përballueshme.
Megjithatë, Milani nuk është klubi i vetëm që po e monitoron situatën e mesfushorit kroat, pasi interesim për të pritet të ketë edhe nga skuadra të tjera, përfshirë ato të futbollit italian.
Për momentin, të dy rastet mbeten në fazën e vëzhgimit, por drejtuesit e Milanit po përgatiten që të shfrytëzojnë çdo mundësi për ta përforcuar skuadrën në afatet e ardhshme kalimtare. /ORAinfo/