Derbi i parë me Haland, Hojlund: Mos na krahasoni! Rasmus Hojlund këmbëngul se ai nuk shqetësohet për barrën e çmimit të tij prej 72 milionë paundësh që i pagoi Mançester Junajtidit, por po u shmanget krahasimeve me Erling Halandin. Transferimi veror i “djajve” do të përballet me yllin e “qytetarëve” në derbin e “Old Trafford” të dielën.
20- vjeçari danez, i cili është pothuajse tri vjet më i ri se norvegjezi dhe nuk ka shënuar ende golin e parë në Premier Ligë, heziton të pranojë krahasimet me golashënuesin më të mirë të Premier Ligës sezonin e shkuar. Numri i golave të Halandit në karrierë për klubin dhe kombëtaren është 223, krahasuar me 37 që ka gjithsej danezi. “Nuk dua të krahasohem me të”, tha Hojlund.
“Ai është i jashtëzakonshëm dhe ndoshta sulmuesi më i mirë në botë për momentin. Shpresoj që mund të përmirësohem dhe më pas do të shohim se çfarë jam i aftë të bëj”. I pyetur për kujtimin e tij të preferuar të derbit të Mançesterit, tifozi i “djajve” u përgjigj: “Roveshata e Runit, sigurisht! Të gjithë e mbajnë mend atë apo jo? Po e pres me padurim. Është gjithmonë e veçantë të luash një kundër një rivali dhe nëse fitojmë ndeshjen, mund t’i afrohemi majës, kështu që do të ishte bukur”. Ish-sulmuesit të Kopenhagenit nuk i mungon besimi dhe nuk e ndien presionin që Junajtidi i pagoi Atalantës 72 milionë paund për të në verë. “Unë e di vlerën time”, shtoi Hojlund, i cili ka shënuar tre gola në 10 ndeshje. “E di që duhet të performoj çdo ditë, sepse luaj për Mançester Junajtidin.
Në fund të fundit, unë jam vetëm 20 vjeç dhe nuk jam ende një artikull i përfunduar. Kam ende shumë për të përmirësuar dhe po arrij ngadalë. Mendoj se kam pasur një fillim të mirë të sezonit dhe tani duhet të vazhdojmë të ndërtojmë dhe golat do të vijnë në Premier Ligë. Unë kam pasur gjithmonë vetëbesim dhe dua të përmirësohem çdo ditë dhe kjo është arsyeja pse jam këtu”. Ai luajti kundër ish-klubit të tij, Kopenhagenit, të mërkurën në “Old Trafford”, ndërsa në ish-klubin e tij luajnë vëllezërit binjakë 18- vjeçarë, Oskar dhe Emil.
Kishte një moment të bukur pas ndeshjes kur Oskar u nis për të hipur në autobusin e ekipit të Kopenhagenit dhe Rasmus u shkëput nga intervistat e tij pas ndeshjes për t’i thënë vëllait të tij të priste. “Por autobusi niset tani!, tha Oskar. “Mund të presë 10 minuta, mami dhe babi janë këtu”, buzëqeshi Rasmus, i cili nuk arriti të dilte jashtë në kohë.
Dy vëllezërit nuk u panë derisa të dy skuadrat u rreshtuan në tunel. “Nuk na është lejuar të flasim me njëri-tjetrin”, tha lojtari i Junajtidit. “Do të doja të kishim pak kohë së bashku, por nuk funksionon kështu. Megjithatë, unë isha në dhomën e zhveshjes për t’u përshëndetur me të gjithë djemtë”.
PANORAMASPORT.AL