Takimet e vlefshme për fazën play-off të Botërorit 2026 kanë ndezur futbollin europian. Komisari teknik i Polonisë, Jan Urban, ka bërë me dije se do të zyrtarizojë listën e lojtarëve që do të grumbullojë për finalen e parë me Shqipërinë më datë 20 mars.
Në këtë listë shtypi polak pret surpriza duke parë edhe mungesën për shkak kartonësh që do të ketë kombëtarja në fjalë për takimin me kuqezinjtë e Sylvinho-s. Siç dihet Nicola Zalewski nuk do të jetë i këtij dueli për shkak kartonësh dhe të gjithë presin ftesën e parë në kombëtare për 17-vjeçarin, Oskar Pietuszewski. Për këtë argument dhe vështirësitë e ndeshjes me Shqipërinë komentoi sot një legjendë e futbollit polak si Zbigniew Boniek.
“Mendoj se Urban ka të drejtë kur tentoi që të largojë presionin nga Pietuszewski. Ai është një talent dhe grumbullimi në këto ndeshje delikate nuk e di nëse do të ishte diçka pozitive për atë. Trajneri bëri mirë që largon presionin prej tij pasi ekipi duhet të jetë sa më i qetë”, arsyetoi Boniek.
“Të gjithë e dimë se për çfarë luhet në ndeshjen mes Polonisë dhe Shqipërisë. Një humbje përballë Shqipërisë do të shkaktonte një tërmet në futbollin tonë. Trajneri do të ishte në telashe të mëdha, ndërsa për Robert Leëandoëski-n do të ishte ndeshje e fundit me kombëtaren. Sa i përket rivalëve mendoj se janë në një moment shumë të mirë. Kanë një ekip me eksperiencë dhe shumë inteligjent. Edhe pse mendoj se në këtë ndeshje Polonia është favorite nuk mund të them se kjo ndeshje do të jetë një formalitet për ne”, tha legjenda e futbollit polak, i cili numëron 24 gola në 80 prezenca me kombëtaren bardhekuq.