Leonardo Bonuçi është ende në kërkim të një roli të ri në futboll që pas lamtumirës së tij si futbollist profesionist, por e shkuara e tij nuk duket shumë e largët dhe qëndron ende e gjallë në memorie. Një e shkuar që lidhet ngushtë me Juventusin, Milanin, por edhe një kalim të mundshëm që mund të ndodhte, por nuk ndodhi, te Mançester Siti.
“Nëse jam kontaktuar ndonjëherë nga Pep Guardiola? Po, si në vitin 2016 ashtu edhe në 2017 kur shkova te Milani. Ishte e qartë që në 2016 nuk u konkretizua transferimi për një qëllim të qartë. Juventusi nuk do të më shiste kurrë, ndërsa unë isha në një moment shumë të mirë me “Zonjën”. Në vitin 2017, Montela dhe Mirabeli më telefonuan dhe më thanë se duhet të shkoja në Milano dhe do të bëhesha kapiteni i skuadrës. Shkova sepse nuk doja të largohesha nga Italia”, u shpreh fillimisht ish-mbrojtësi italian që më pas jep detaje të tjera për transferimin e tij te Milani.
“Shkova te Milani për shkak të mosmarrëveshjes së famshme me Alegrin. Unë doja të qëndrojë këtu, të rrija pranë familjes në shtëpi, për ngjarje që i dinin të gjithë dhe që lidheshin me djalin tim. Nuk doja të largohesha jashtë Italisë sepse do kisha shumë pikëpyetje. Gjithashtu shkova te Milani sepse po hapej një cikël i ri. U bënë shumë blerje nga ana e Mirabelit dhe Fasones, plot 12 lojtarë. Në fund kur gjithçka u shkatërrua, më thanë se nuk kishte më vend për mua te Milani.
Në atë moment thashë me vete se nëse do të largohem, thjesht do të kthehem te Juventusi. Të gjitha këto ngjarje ndodhën sepse gjatë u krijua një atmosferë mes meje, klubit dhe trajnerit që nuk po shkonte si duhej dhe unë bëra lëvizjen”, u shpreh Bonuçi që më pas tregon edhe rikthimin në Torino. “Alegri kishte rinovuar pas finales në Ligën e Kampioneve. Ne morëm vendimin që gjërat mund t’i rregullonim dhe pasi u ritakuam, situata ishte edhe më mirë se më parë”, përfundoi ish-mbrojtësi bardhezi.
PANORAMASPORT.AL