Leonardo Bonuçi e ka mbyllur me Juventusin. Klubi bardhezi e ka lënë jashtë planeve dhe po mundohet t’i gjejë një sistemim mbrojtësit veteran. Dhe duket se e ka gjetur atë, pasi Lacio ka shfaqur interes konkret për qendërmbrojtësin, por edhe për një tjetër element të bardhezinjve.
Sipas “LaLazioSiamoNoi”, një portal shumë pranë klubit kryeqytetas, Juventusi dhe Lacio po punojnë me shpejtësi për një marrëveshje të dyfishtë që mund të mbyllet brenda kësaj fundjave pasi palët nuk duan të humbasin kohë. Juventusi është gati të lërë të lirë mbrojtësin të largohet, për të shpëtuar nga rroga e tij prej 6,5 milionë eurosh në sezon.
Ndërkohë, Sarri në anën tjetër do të ketë një alternativë të fortë në qendër të mbrojtjes, por si pjesë të “paketës” kërkon edh Luka Pelegrinin, duke marrë miratimin nga torinezët. Pelegrini do të ishte alternativa e krahut të majtë për mbrojtjen e Lacios, një rival më shumë për Elseid Hysajn, i cili ka luajtur rregullisht së fundmi me kryeqytetasit pikërisht në të majtën për shkak të mungesave të lojtarëve specifikë në atë pozicion.
PANORAMASPORT.AL