Trajneri i Tiranës, Roberto Bordin, ka folur për mediat në prag të sfidës kundër Flamurtarit, që do të luhet nesër në orën 16:00 dhe do të transmetohet në RTSH Sport. Italiani, që do të debutojë në krye të bardhebluve në sfidën kundër vlonjatëve, synon të nisë me fitore këtë aventurë të re.
“E kemi pranuar me kënaqësi këtë sfidë të rëndësishme pasi Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Sigurisht më ka bindur stafi drejtues, duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv dhe Grenti, e nuk mora shumë kohë për ta pranuar këtë sfidë të rëndësishme. Sigurisht objektivi i klubit dhe i imi është që të arrijmë lart, janë edhe shumë ndeshje në dispozicion, është dhe koha e mjaftueshme për të njohur lojtarët duke pasur parasysh që ka pasur shumë lëvizje.
Objektivi ynë është ti fitojmë ndeshjet, thjesht duhet të bëjmë Tiranën, të luajmë me zemër dhe shpresoj të marrim rezultatin që duam. E di që tifozeria e Tiranës është më e mira në Shqipëri, jam i bindur që do të vijnë të shumtë në stadium për të na mbështetur, ua kam thënë edhe lojtarëve që besoj janë të ndërgjegjshëm se çfarë fanelle veshin dhe lojtarët duhet të bëjnë atë që të duket se tifozët janë lojtari i 12-të në fushë”, ka thënë mes të tjerash Bordin.