Në prag të debutimit të tij si trajner i Tiranës përballë Flamurtarit, Roberto Bordin ka folur me shumë entuziazëm mbi sfidën që e pret dhe përgjegjësinë që mbart pankina bardheblu.
“E kemi pranuar me kënaqësi këtë sfidë të rëndësishme pasi Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Sigurisht më ka bindur stafi drejtues, duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv dhe Grenti, e nuk mora shumë kohë për ta pranuar këtë sfidë,” – u shpreh tekniku italian.
Bordin theksoi se objektivi i tij dhe i klubit është i qartë: të ngjiten sa më lart në renditje, duke ndërtuar një skuadër që lufton për çdo ndeshje. “Objektivi ynë është t’i fitojmë ndeshjet, thjesht duhet të bëjmë Tiranën, të luajmë me zemër dhe shpresoj të marrim rezultatin që duam. Ka ende kohë për të njohur lojtarët, sidomos duke pasur parasysh lëvizjet e shumta në merkato.”
Një mesazh i veçantë shkoi edhe për tifozët, të cilët tekniku i konsideron vendimtarë në këtë rrugëtim. “E di që tifozëria e Tiranës është më e mira në Shqipëri, jam i bindur që do të vijnë të shumtë në stadium për të na mbështetur. Ua kam thënë edhe lojtarëve që duhet të jenë të ndërgjegjshëm se çfarë fanelle veshin dhe ta ndjejnë se tifozët janë lojtari i 12-të në fushë.”
Sfida ndaj Flamurtarit do të shënojë nisjen e një kapitulli të ri për Tiranën dhe Bordin, me pritshmëri të mëdha nga të dyja palët.