Botërori 2026 vazhdon sot me tri përballje interesante të fazës së grupeve, ku vëmendja kryesore do të jetë te debutimi i Francës, Argjentinës dhe Norvegjisë në turneun që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Në Grupin I, Franca do të përballet me Senegalin në një duel që rikthen kujtimet e përballjeve të mëparshme mes dy kombëtareve. Kampionët e botës të vitit 2018 synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin e tyre në turne, teksa Senegali kërkon të konfirmojë statusin e një prej përfaqësueseve më konkurruese afrikane.
Po në këtë grup, Norvegjia do të luajë ndaj Irakut, me interes të veçantë për paraqitjen e sulmuesit Erling Haaland, i cili pritet të jetë figura kryesore e norvegjezëve në paraqitjen e tyre të parë në këtë Botëror.
Ndërkohë, në Grupin J, kampionia në fuqi Argjentina do të nisë mbrojtjen e titullit përballë Algjerisë. Të gjitha sytë do të jenë te Lionel Messi, i cili në moshën 38-vjeçare mund të jetë duke zhvilluar turneun e fundit të madh me kombëtaren argjentinase. Në ndeshjen tjetër të grupit, Austria do të përballet me Jordaninë, e cila po debuton për herë të parë në historinë e saj në Kupën e Botës.
Sipas programit, Francë–Senegal zhvillohet në orën 21:00, Irak–Norvegji në orën 00:00 ndërsa Argjentinë–Algjeri, ora 03:00 dhe Austri–Jordani në orën 06:00.