Lara Colturi do të jetë e para aktive ndër sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë për vitin 2026. Skiatorja 19-vjeçare do të garojë të shtunën e të dielën për etapën e radhës në Kupën e Botës për Ski, që do të zhvillohet në Kranjska Gora të Sllovenisë e që do të jetë në transmetim ekskluziv në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të shtunën do të jetë gara e slalomit gjigant, me zbritjen e parë në orën 10.00 dhe të dytën në orën 13.00. Të dielën, në 4 janar, do të jetë gara e slalomit, me zbritjen e parë në 9.30 dhe të dytën në 12.15.
Colturi vjen në garën e Sllovenisë pas fundjavës pozitive në etapën e Semeringut në Austri, fundjavën e kaluar, e cila ishte edhe e fundit për vitin 2025.
Atje skiatorja kuqezi zuri vendin e tretë, duke u ngjitur për herë të katërt në podium në sezonin aktual të Kupës së Botës në Ski. Pas dy vendeve të dyta në Levi të Finlandës dhe Gurgl të Austrisë, Colturi u rendit dy herë e treta në Copper Mountain, Kolorado të Shteteve të Bashkuara, dhe Semering të Austrisë, të gjitha në garën e slalomit.


