Kupa e Botës në Ski Alpine zhvendoset nga Europa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 29 dhe 30 nëntor do të garohet në malin Copper, në disiplinën e slalomit gjigant dhe slalom.
Pista amerikane ofron një terren të shkëlqyer për skiatorët, aty ku në fundjavën e fundit të muajit nëntor, do të rikthehet në konkurrim Lara Colturi, e cila pritet të sfidojë Michaela Shiffrin pikërisht në shtëpinë e saj.
Pas dy medaljeve të argjendta, në tre garat e para të këtij botërori, skiatoria që garon për ngjyrat kuqezi ka treguar një formë të mirë sportive dhe të gjithë presin prej saj vazhdimësinë.
Sigurisht që ky mision nuk do të jetë i lehtë, pasi përballë do të ketë të jashtëzakonshmen, Shiffrin që me rezultatet e saj duket sikur nuk gabon kurrë.
Sezonin e kaluar, po në Copper, skiatoria amerikane është skualifikuar pasi u rrëzua në zbritjen e dytë. Ndërsa lara Colturi u pozicionua në vendin e 9-të në Slalomin Gjigant dhe e teta në Slalom.
Të dyja garat e kësaj fundjave do të transmetohen drejtpërdrejt në rrjetin e Radio televizionit shqiptar. Të shtunën, në slalomin gjigant, zbritja e parë në orën 18:00-19:00 do të transmetohet në RTSH 2, zbritja e dytë e shoqëruar edhe me emisionin „Shqipëria mbi ski“ do të transmetohet në orën 20:30-22:30 në RTSH 1. Ndërsa të dielën në slalom zbritja e parë do të transmetohet në orën 18-19 në rtsh sport ndërsa zbritja e dytë shoqëruar edhe me emisionin “Shqipëria mbi ski” do të transmetohet në RTSH 1 në orën 20.30-22.15. Nëpërmjet ekranit të RTSH të gjithë do të përjetojnë emocionet e duelit Shifrin-Colturi, si dhe rivaleve të tjera.


