Valtteri Bottas është shumë pranë rikthimit në Formula 1 si pilot titullar.
Piloti finlandez, aktualisht rezervë te Mercedes, është emri më i përfolur për të udhëhequr projektin ambicioz të ekipit të ri Cadillac, që do të hyjë zyrtarisht në F1 në sezonin 2026 si skuadra e 11-të.
Prej ditësh qarkullonin thashetheme për interesimin e amerikanëve, por një video e postuar nga vetë Bottas në Instagram i ndezi edhe më shumë spekulimet: në video, atij i tregohej një makinë Cadillac, së cilës ia lavdëronte sediljet, duke pyetur me ironi nëse të dyja ishin të lira.
Kur e pyetën nëse donte të ulej, ai u përgjigj: “Jo, akoma.”
Tashmë, duket se negociatat kanë hyrë në një fazë të avancuar dhe zyrtarizimi i marrëveshjes mund të ndodhë përpara pushimit veror të kampionatit aktual.
Mercedes, nga ana tjetër, nuk pritet të vërë pengesa, me Toto Wolff që nuk do ta ndalojë largimin e pilotit të tretë.
Për Cadillac, angazhimi i Bottas do të ishte një goditje e madhe, një pilot me përvojë të jashtëzakonshme: 246 gara të zhvilluara në F1, 10 fitore, 67 podiume, 20 ‘pole position’ dhe 19 xhiro më të shpejta.
Me rikthimin e tij të mundshëm si lider i një skuadre të re, Bottas ka një shans të artë për të ndërtuar një projekt nga themelet, ndërsa Formula 1 përgatitet për një epokë të re teknologjike dhe garash që nis më 2026.