Lukas Paketa zbuloi se mbështetja e trajnerit të Uest Hemit, Dejvid Mojes e ndihmoi atë të përballej me skandalin e basteve që çoi në kolapsin e transferimit të tij prej 80 milionë paundësh te Mançester Siti. Sulmuesi brazilian është ende subjekt i një hetimi shtatë-mujor të FA-së për vendosjen e dyshimta të basteve që lidhen me tre kartonë të verdhë që Paketa mori vitin e kaluar për Uest Hemin.
Paketa nuk ka luajtur për Brazilin që kur nisi hetimi, por nën drejtimin e trajnerit të ri Dorival Zhunior, ai do të kthehet të shtunën kundër Anglisë në “Uembli”. “Unë nuk mendoj se ata (Uest Hemi) kanë bërë ndonjë gjë ndryshe nga ajo që duhet të kishin bërë”, tha Paketa, i cili mohon çdo akuzë. “Marrëdhënia ime me Dejvid Mojesin është shumë e mirë. Ne folëm për këtë. Ai tha se donte që unë të luaja”. “Mail Sport” zbuloi në gusht se mesfushori ishte subjekt i një hetimi të FA për baste të dyshimta të vendosura me bastvënës në Brazil, që dyshohet se u gjurmuan në ishullin Paketa, në Gjirin Guanabara, ku Paketa u rrit.
Hetimi fokusohet te kartonët që ai mori kundër Bornmëthit në javën e parë të sezonit të kaluar, kundër Aston Vilës në mars dhe Lidsit në maj. “Më thanë të mos komentoja për këtë temë”, tha Paketa në konferencën e shtypi me Brazilin. “Kanë kaluar shtatë muaj që ka ndodhur dhe unë jam duke bashkëpunuar, duke bërë atë që është në fuqinë time që të zgjidhet”.
Transferimi i tij te Siti dështoi prej kësaj që ndodhi, por Guardiola mendohet se është ende i interesuar për ta transferuar në “Etihad”, pasi e sheh mesfushorin si zëvendësuesin ideal të Bernardo Silvës. 26- vjeçari do të përballet nesër me shokun e skuadrës, Xharod Bouen, i cili është grumbulluar nga Anglia, për të cilin tha: “Unë fola me Xharod dhe ai dëshiron që të luajë kundër nesh, sepse ai e di se sa peshë ka fanella jonë dhe historia jonë”. Edhe pse kjo skuadër e re braziliane është e mbushur me lojtarë pa përvojë, Paketa ende beson se Brazili është favorit: “Ekipi brazilian do të jetë gjithmonë favorit, për shkak të historisë dhe lojtarëve që kemi”.
PANORAMASPORT.AL