Wednesday, 16. September 2026
Futboll

Bremer synon majat: Frymëzohem nga Scirea, dua të kujtohem në historinë e Juventusit

GS 16/09/2026 2 Min. Lesezeit

Gleison Bremer foli në prag të debutimit të Juventusit në “Europa League”, ndaj NEC, për faqen zyrtare të UEFA-s: “Shumë mbrojtës kanë bërë historinë këtu, duke lënë gjurmë edhe në nivel brezash. Mendoj sidomos për Gaetano Scirea, një mbrojtës legjendar për këtë klub dhe kombëtaren.

Sigurisht, për mua do të ishte shumë e vështirë të krahasohesha me ta, sepse presioni është i madh, por shpresoj të arrij të lë gjurmën time. Është e pamundur të bëj krahasime, por dua të lë shenjën time dhe do të jap gjithmonë gjithçka në fushë, në mënyrë që të kujtohem në historinë e këtij klubi”.

Për veten, braziliani veçoi: “Jam një mbrojtës shumë agresiv. Shfrytëzoj forcën fizike, shpejtësinë, jam i aftë edhe në lojën ajrore. Këto janë disa nga karakteristikat e mia kryesore, por po punoj edhe për aspekte të tjera ku mund të përmirësohem”.

Për Spallettin tha: “Është trajner i një niveli shumë të lartë dhe na ndihmon çdo ditë të arrijmë objektivat. ‘Europa League’ është një kompeticion prestigjioz. Duam të shkojmë sa më larg dhe, nëse arrijmë deri në fund, ndoshta mund ta fitojmë”.

Teilen: