Carlos Sainz është ende në kërkim të një skuadre të re për vitin e ardhshëm, pas largimit nga Ferrari.
Pavarësisht zërave në javët e fundit që e lidhnin atë me Williams ose Sauber/Audi, piloti spanjoll tani duket shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me “Alpine”, edhe falë ardhjes së Flavio Briatore si konsulent ekzekutiv. Esteban Ocon me gjasa do të lërë një vend të lirë, prandaj skuderia franceze do të duhet të gjejë një shok skuadre për Pierre Gasly dhe ky emër mund të jetë pikërisht i pilotit iberik.
Në një intervistë të dhënë për “Radio Rai”, Flavio Briatore e admiron Carlos Sainz dhe shpreson që 29-vjeçari të jetë pjesë e tyre duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
“Ka shumë interes, do të shohim në ditët në vijim. Për momentin për “Alpine” piloti nuk bën diferencën, pasi fillimisht duhet të përmirësojmë makinën. Në mënyrë të pabesueshme Sainz është ende i lirë, të gjithë jemi të gatshëm ta kemi në skuadër, do të bëjmë gjithçka që mundemi”, shpjegoi Briatore.
Sipërmarrësi piemontez foli edhe për shanset e “Alpine” në funksion të ndryshimit të rregullores të planifikuar për vitin 2026 që jo vetëm që do të ndryshojë Formula 1, por mund të modifikojë edhe ambiciet e skuderisë.
“Dua t’iu them diçka të gjithëve, në vitin 2026 ne do të ngjitemi në podiume, nuk e di pse këtë vit kemi shumë probleme që nuk mund t’i them, por ne po rimodelojmë skuadrën e së ardhmes- shtoi 74-vjeçari.
Më tej biznesmeni italiani dha edhe një koment të shkurtër për favoritët e këtij sezoni, teksa nuk e fshehu për kë bën tifo:
Tani jemi forca e katërt e edicionit dhe nuk e di se kush do të jetë i pari. Shpresoj që Ferrari të dalë kampion, mund të rikuperojë akoma këtë vit. Fitorja e Ferrarit është një rezultat pozitiv për të gjitha skuadrat.”-përfundoi deklaratën e tij Briatore.