Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja të enjten e ka bërë prezantimin zyrtar te skuadra e Evertonit.
Broja javën e shkuar është huazuar tek Evertoni nga Chelsea deri në fund të sezonit, pasi ekipi nga Londra nuk llogarit në shërbimet e tij.
Krahas huazimit, Evertoni ka opsionin e blerjes së Brojës verën tjetër për 22 milionë euro pasi 22-vjeçari ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2028.
Në prezantimin e tij, Broja nuk ka harruar ta bëjë shqiponjën, simbolin e shqiptarëve, ndërsa ka shtuar se ka synime të mëdha me fanellën e Evertonit.
Ai ka thënë se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e Evertonit dhe me padurim po e pret ndeshjen e parë zyrtare me këtë skuadër.
Mbi të gjitha, Broja është shprehur se dëshira e tij është ti impresionoj tifozët me shënimin e golave dhe duke e ndihmuar klubin në arritjen e objektivave.
Aktualisht, Broja është i lënduar dhe po shpreson që të rikuperohet sa më shpejtë që të jetë e mundur për të qenë në dispozicion të ekipit.
Pas tri xhirove të zhvilluara deri më tani në Premier League, Evertoni ka regjistruar tri humbje dhe zë vendin e fundit në tabelë pa pikë.