Gigi Buffon ka komentuar krahasimin midis ish-trajnerit dhe trajnerit të ri të Juventusit gjatë një interviste të gjatë për “La Stampa”. Sipas ish-portierit legjendar, ata që duan t’i krahasojnë thjesht kërkojnë të shkaktojnë tension në klub.
“Le të mos e teprojmë: krahasimi midis Motta-s dhe Allegri-t nuk ka kuptim, janë dy profile të pakrahasueshme. Allegri ka fituar shumë, ndërsa Thiago është ende në fillimet e tij. Ata që i krahasojnë, e bëjnë këtë vetëm për të krijuar tension në mjedis. Kam një respekt të madh për Thiago dhe jam shumë i bindur për projektin që po ndërton,” shtoi ish-portieri dhe kapiteni i Juventusit, sot kreu i delegacionit të Kombëtares Italiane.
“Kur bëhet një ndryshim kaq i thellë, është e nevojshme koha. Thiago është një trajner i përpiktë, i përgatitur dhe i mësuar të punojë në nivele të larta. E njoh që nga koha kur ishim shokë skuadre dhe besoj se ai ka nevojë për mbështetjen e plotë të të gjithëve.”
Buffon foli edhe për çështje aktuale të kampionatit: “Futbolli ynë ka ndryshuar. Pas Premier League-s angleze, vijmë ne. Kemi ndryshuar në mënyrën e të menduarit dhe mendoj për revolucionin kulturor të shumë trajnerëve: tani është kënaqësi të shikosh ndeshjet e Serisë A.”
Lidhur me skuadrën kryesuese, Atalanta, Buffon tha: “Është një ekip që bën mirë për të gjithë. Nuk jam i befasuar, sepse, si në futboll ashtu edhe në jetë, nuk improvizon dot nëse dëshiron të arrish në nivele të caktuara. Shoqëria e familjes Percassi ka një projekt vizionar që ka kohë që po zbatohet.”