Ndonëse në Itali kjo është një praktikë pak e përhapur, dorëheqja duket se po qarkullon në mendjen e Xhanluixhi Bufonit. Eksperienca e tij të parë si drejtues ka rezultuar një dështim total, ndonëse në një event shumë të rëndësishëm për kombëtaren e Italisë, fatkeqësisht një nga paraqitjet më të dobëta të historisë së 4 herë kampionëve të botës.
Ish-portieri dhe kapiteni “Axurr”, i cili kishte rolin e shefit të delegacionit të përfaqësueses italiane, mesa duket ka vendosur që të marrë pak kohë për të vlerësuar rolin e tij, ndonëse burime pranë “Supermenit” nënvizojnë se dorëheqja duket vendimi që ai kërkon të ndërmarrë. Arsyeja lidhet me një çështje nderi personal, kjo pasi Bufon është një nga personat më krenarë të futbollit dhe dështime si ai me Zvicrën nuk i kapërdin dot, por duke ia drejtuar gishtin edhe vetes për këtë aventurë të shëmtuar.
Me eksperiencën e tij ai mendonte se mund të kishte ndihmuar më shumë nga ana psikologjike grupin e futbollistëve, por fakti që reagime pati thuajse zero, ai mendon se ka dështuar në detyrën e tij dhe po mendon që të lirojë poltronën. Këtë e konfirmojnë shumë qartë edhe fjalët e tij, pak orë pas rikthimit të kombëtares nga Gjermania në Itali:
“Për rindërtimin e skuadrës do të duhet të flasin trajneri Spaleti dhe presidenti i federatës, ndërsa unë nga aspekti personal mund të them se pata ndërtuar një marrëdhënie të bukur me të gjithë lojtarët dhe me ta kam folur gjithmonë hapur. U kam folur dhe tentuar t’u tregoj sesi mund të përmirësonim disa gjëra që ishin të dukshme se nuk shkonin, por mesa duket në fund ndoshta nuk e kam bërë siç duhet detyrën time.
Tani të qetësojmë pak mendjen, të vlerësojmë gjithçka dhe të provojmë të rinisim punën për t’u kualifikuar në Botëror, ku mungojmë prej 2 edicionesh radhazi. Ky është objektivi ynë minimal tani e në vazhdim, ndërsa për sa i përket Europianit, ishte një zhgënjim absolut, duke nisur nga unë i pari”, u shpreh Bufon.
PANORAMASPORT.AL