Kombëtarja e Anglisë do t’i bëjë llogaritë për dy miqësoret e këtij muaji pa futbollistin Bukayo Saka.
Futbollisti i Arsenalit është larguar nga kampi i Anglisë, duke mos arritur të stërvitet me Kombëtaren dhe është kthyer në klubin e tij për rehabilitim.
“Sulmuesi i Arsenalit shkoi në St. George’s Park me një dëmtim dhe nuk ka qenë në gjendje të marrë pjesë në stërvitje”, thuhet në komunikatën e federatës angleze.
Mësohet se vendimi për tërheqjen e Sakës nga skuadra është marrë për një masë paraprake dhe jo për një dëmtim të rëndë.
Anglia këtë muaj luan miqësore kundër Brazilit dhe Belgjikës.