Interi është aty. Vetëm 3 ndeshje larg triumfit në Champions, vetëm 3 hapa drejt lavdisë. Do të luhet me Barcelonën, Arsenalin ose PSG-në, rivalë të mëdhenj dhe të fortë.Nuk janë të pakalueshëm, por as superiorë. Jo në një mënyrë evidente dhe të qartë. Zikaltrit do t’i luajnë këto sfida pak a shumë si të barabartë me të tjerët për titullin e kampionit të Europës. Nuk është më Reali i fenomenëve, skuadra e ëndrrave që e nis Champions-in gjithmonë si favorite në këtë kompeticion dhe duket e pathyeshme.
E nxori jashtë Arsenali dhe në mënyrë shumë të keqe. Nuk janë në garë as Liverpuli, “mbret” i Premier Ligës në kampionatin më të pasur të botës dhe Siti i Guardiolës dhe Halandit. Pasi eliminoi me bindje dhe me meritë Bajernin, të cilit i mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, Interi mund të synojë gjithçka. Rivali i radhës për Interin do të jetë Barcelona, ndoshta më e vështira nga ato që kanë mbetur në garë. Dhe ta mendosh që ana tjetër e tabelës dukej më e vështirë me Realin, Liverpulin dhe Sitin.
Një rival që sjell kujtime të bukura për popullin zikaltër. Edhe në sezonin e Tripletës, ekipi i Murinjos luajti ndaj kaltanasve, që në atë kohë dukeshin të pathyeshëm me Mesin në pikën më të lartë të karrierës. Këtë herë nuk duken të tillë, madje as nuk janë. Kanë talentin më të madh ndoshta të futbollit botëror, Jamal, kanë një sulmues mes më të mirëve në qarkullim: Levandovski. Por kanë edhe klas dhe gjeni kudo në fushë. Kanë gjithashtu edhe një mbrojtje që nuk është e pathyeshme dhe gjithmonë të lë hapësira. Në tërësi, edhe ata duhet që të jenë të trembur nga kualiteti i këtij Interi, organizimi, forca dhe yjet që ka në skuadër. Nga Lautaro te Çalhanoglu, nga Turam te Dimarko, nga Bastoni te Mkitarian. Është normale që ta vlerësosh Barcelonën, por edhe ata kanë shumë motive për t’iu trembur Interit.
REZISTENCË- Vetëm ndonjë tifoz i çmendur do të mendonte se Interi do ta kalonte lehtësisht Bajernin, pavarësisht mungesave të shumta. Por, zikaltrit anuluan një ekip që ka në përbërje kampionë të tjerë të mëdhenj dhe një histori të jashtëzakonshme që në nivele të tilla është një peshë e madhe. Nuk është rastësi që në fillimin e pjesës së dytë gjetën golin për një pavëmendje të skuadrës së Interit. Në atë moment u rikthye frika dhe dyshimi në radhët e zikaltërve. Por, kampionët e Italisë rezistuan dhe kjo ishte një shenjë se kjo skuadër do të vazhdojë të surprizojë dhe të besojë deri në fund.
JO RASTËSI- Është hera e dytë në tri vite që Interi arrin në gjysmëfinalet e Championsit dhe në vitin 2023 mbërriti deri në finale. Një ecuri që tregon se sa i fortë është ky grup i ndërtuar nga drejtuesit zikaltër, duke nisur nga Marota që ka menaxhuar edhe ndryshimin e pronësisë. Edhe Inzagi ka krijuar një skuadër kompetitive në nivele të larta edhe jashtë Italisë. Një grup i jashtëzakonshëm, një trajner i madh dhe lojtarë të shkëlqyer. Pa harruar një prej tyre: Lautaro Martinezin. A ka realisht sulmues më të fortë në botë dhe liderë vendimtarë si ai brenda dhe jashtë fushës së lojës? Vështirë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL