Juventus ka nisur punën për sezonin e ardhshëm, teksa në pritje të hapjes së merkatos së verës, media italiane bën me dije se bardhezinjtë kanë siguruar edhe firmën e parë me një futbollist.
Bëhet fjalë për anësorin e Bolognës, Riccardo Calafiori, i cili po bën një sezon fantastik me emilianët e Thiago Mottës dhe ka bindur Giuntolin, i cili ka nxituar për të arritur marrëveshjen.
Calafiori do të transferohet në Torino në huazim me detyrim blerjeje, për një shifër totale prej 25 milionë eurosh, teksa gjasat janë që në marrëveshje të përfshihet edhe ndonjë prej të rinjve të Juventusit.
Mbrojtësi do të zëvendësojë brazilianin Alex Sandro, i cili do të largohet me parametra zero në fund të sezonit, teksa Calafiori është një alternativë e vlefshme, pasi di të luajë në të gjithë pozicionet e krahut të majtë, qoftë në rreshtimin me 3 apo me 4 në mbrojtje.
Një tjetër futbollist që pritet të transferohet në Torino është edhe sulmuesi spanjoll Alvaro Morata. Ky i fundit ka veshur dy herë fanellën e Juventusit dhe joshet nga një eksperiencë e tretë, teksa palët kanë nisur punën për të arritur marrëveshjen.
Kartoni i Moratës kushton rreth 15 milionë euro, te cilat Juve mund t’i sigurojë nëpërmjet shitjes së Milik dhe Kean, të cilët nuk bëjnë më pjesë në planet e bardhezinjve.
Po në repartin e sulmit, ëndrra e vërtetë e Giuntolit është Zirkzee i Bolognës, por një tentativë për të do të bëhet vetëm nëse shitet serbi Vlahoviç, për të cilin nuk mungojnë ofertat nga Anglia.