Grupi i Interit është reduktuar në minimum dhe mendja është te ndeshja e së dielës së Pashkëve kundër Romës në “San Siro”. Në “Appiano Gentile”, shumica e lojtarëve janë nga “Primavera” dhe U-23, nën drejtimin e Cristian Chivu, që do të rikthehet në stol pas pezullimit në Firence. Stafi po ndjek me kujdes kombëtaret, sidomos Italinë ku janë 5 nga 12 interistët e grumbulluar.
Alarmi për Hakan Calhanoglu është shuar, shqetësimi në pulpë ndaj Rumanisë nuk duket serioz dhe ai pritet të luajë, madje edhe në sfidën vendimtare ndaj Kosovës, me vendimin final që i takon trajnerit Vincenzo Montella.
Me Poloninë shkëlqeu Piotr Zielinski, autor i golit vendimtar ndaj Shqipërisë. Tek Italia, Gennaro Gattuso aktivizoi Bastonin, Barellën dhe Dimarcon titullarë, ndërsa Francesco Pio Esposito hyri nga stoli. Frattesi qëndroi në pankinë.
Ndërkohë, lajmi më i mirë është rikthimi i afërt i Lautaro Martinez, që po stërvitet mirë dhe pritet të bashkohet me grupin javën e ardhshme. Chivu do të duhet të menaxhojë edhe lodhjen dhe gjendjen psikologjike të lojtarëve pas ndeshjeve të kombëtareve.