Trajneri Christian Chivu disponon një skuadër të gjerë dhe cilësore, saqë dëmtimet dhe rëniet e formës së lojtarëve menaxhohen më lehtë sesa diku tjetër. Megjithatë, ka lojtarë të pazëvendësueshëm.
Njëri është shtylla e lojës së zikaltërve, mesfushori Hakan Calhanoglu. Ai duket se e ka kaluar tërheqjen muskulore në aduktorin e djathtë dhe është gati të vihet në dispozicion të trajnerit rumun.
Turku ka rifilluar stërvitjet me grupin, por me shumë gjasa Chivu do të vendosë të mos rrezikojë me të menjëherë pas pushimit, këtë të shtunë kundër Parmës. Ka më tepër kuptim të pritet ndeshja e Champions League kundër Club Brugge.
Duke marrë parasysh dëmtimet e vogla të kohëve të fundit dhe moshën, një rikthim gradual në skuadër do të ishte qasja më logjike. Me rikthimin në fushë, Calha ka mundësinë t’i vërtetojë drejtuesve të klubit se është ende një lojtar i aftë për të bërë diferencën në kampionat.
Kjo është arsyeja pse komunikimi mes përfaqësuesve të tij dhe Inter nuk ka pushuar kurrë. Kontrata e tij skadon në fund të sezonit dhe shumëkush e ka vënë në dyshim nëse ia vlen të merret parasysh një rinovim.
Çdo rinovim do të bëhej me kushte financiare të reduktuara. Struktura e propozuar do të përfshinte një pagë fikse prej 6.5 milionë eurosh, plus bonuse, të lidhura kryesisht me numrin e paraqitjeve. Me pak fjalë, do të bëhet çdo përpjekje për të shmangur humbjen e tij me parametër zero.