Tuesday, 31. March 2026
Sport

Cana: Lojtarët e Kosovës kanë bërë diçka të jashtëzakonshme, forca e tyre ndryshon gjithçka

GS 31/03/2026 3 Min. Lesezeit

Lorik Cana ka folur për Euronews Albania për ndeshjen mes Kosovës dhe Turqisë, që zhvillohet me fillim nga ora 20:45 sonte në “Fadil Vokrri”.

Ish-kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë ka thënë se emocione do të ketë edhe ai, si të gjithë shqiptarët, teksa tregoi nëse i vjen keq që nuk ka luajtur për Kosovën.

“Do të kemi të gjithë emocione, pavarësisht nga çfarë troje shqiptare jemi. Por ne që jemi nga Kosova, të lindur dhe rritur atje, mbetet më e veçantë për ne, kjo është e pamohueshme”, tha fillimisht Cana.

Të vjen keq që nuk ke veshur fanellën e Kosovës? “Besoj se secili në një moment jeton një kapitull dhe atë kapitull duhet ta përmbushë në mënyrën më të mirë. Ne kemi përjetuar një kapitull ku kemi shndërruar një ëndërr të shqiptarëve për t’u përfaqësuar me një simbol kombëtar dhe me një fanellë kombëtare, dhe jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të Maqedonisë dhe Luginës. Sonte është një kapitull tjetër, ku janë djem kryesisht disa të rritur në Kosovë pas luftës dhe disa të tjerë të rritur në diasporë. Sonte mund ta arrijnë një nga gjërat më të rëndësishme për Kosovën; ndoshta pas shpalljes së pavarësisë është ngjarja më e rëndësishme për afirmimin e Kosovës”, tha Cana.

42-vjeçari shtoi se Turqia mbetet favorite e madhe për këtë takim, por te Kosova ka një forcë të madhe.

“Turqia mbetet favorite e madhe. Si përvojë, si teknikë, si nivel, Turqia mbetet favorite e madhe. Por forca e kësaj Kosove, duke filluar pas ndeshjes me Zvicrën, ka ndryshuar diçka te Kosova. Jo vetëm në mënyrë taktike, jo vetëm një dorë dhe një meritë e jashtëzakonshme e trajnerit, por ka ndryshuar diçka te ekipi, ku ka gjetur një vetëbesim, një shpirt luftarak dhe është me plot meritë, sepse ka bërë një fazë kualifikuese të jashtëzakonshme pasi fituan në Slloveni dhe Suedi, pasi eliminuan një Sllovaki të fortë dhe tani i mbetet shkalla e fundit, ku është edhe më e bukura, edhe më e vështira”, vazhdoi tutje Cana.

Ish-kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë tha se futbollistët e Kosovës kanë bërë diçka të jashtëzakonshme.

“Ajo çka i bën gjithmonë të fortë është çka kemi realizuar ne. Le ta kuptojnë se çfarë fati kanë dhe çfarë përgjegjësie kanë ta përfaqësojnë vendin e vet. Pavarësisht se çfarë rrugëtimi kanë pasur duke u rritur dhe u zhvilluar në vendet e tjera, në momentin që ti kupton përgjegjësinë dhe fatin që ke për të luajtur për shtetin e Kosovës, me gjithë historinë e shkurtër që ka pasur, ajo të bën të kalosh mbi të menduarit si futbollist. Këta djem kanë bërë diçka të jashtëzakonshme”, tha ndër të tjera Lorik Cana.

 

Teilen: