Joao Cancelo është shumë pran rikthimit në Itali ose të paktën kështu raportohet nga mediet italiane.
Pas përfundimit të huazimit te Barcelona dhe faktit që nuk është aspak në planet e trajnerit të Manchester City-t, Pep Guardiola-s, 30-vjeçari portugez u është ofruar dy klubeve italiane, Juventus-it dhe Inter-it.
Agjenti i Cancelo-s, Jorge Mendes ka kontaktuar drejtuesit e Inter-it dhe Juve-s, me të dy klubet që janë në kërkim të një mbrojtësi të djathtë, për të testuar ujërat në funksion të një transferimi të mundshëm.
Ky do të ishte një rikthim për portugezin në Serie A, pasi Cancelo ka luajtur për “zikaltërit” në sezonin 2017-2018 dhe për “bardhezinjtë” një sezon më pas, me të cilët fitoi kampionatin dhe Superkupën e Italisë.
Megjithatë në këtë lëvizje ka një pengesë dhe ajo është kosto. Nga njëra anë është kërkesa nga Manchester City, që e vlerëson atë me 25 milionë euro, por mund të merret huazohet me të drejtë blerjeje në fund, nga ana tjetër është paga shumë e lartë, të cilën megjithatë vetë Cancelo është gati ta reduktojë vetëm për të luajtur në një ekip që merr pjesë në Champions League dhe në Kupën e Botës për Klube.