Fabio Capello e drejtoi Real Madridin për dy sezone dhe fitoi dy La Liga. Askush më mirë se ai nuk mund tw analizojë kapacitetin për të dhënë rezultate menjëherë në klubin e bardhë.
“Të përshtatesh në një ekip të madh si Real Madridi, është e vështirë. Kam parë lojtarë ndërkombëtarë që mbërrinin atje dhe kishin frikë,” tha ai nga tapeti i kuq i ‘Globe Soccer Awards’, duke komentuar muajt e parë me luhatje të Kylian Mbappésë.
“Mbappé ka pasur probleme jashtë fushës, jo futbollistike. Por më duket se është kthyer. Ka shumë forcë dhe shumë klas. Më pëlqen shumë, është lojtar i një niveli tjetër,” theksoi ai duke e krahasuar procesin e tij të adaptimit me atë të Platinisë tek Juventusi, pasi edhe francezit “iu desh gjashtë muaj kohë për të treguar nivelin e tij më të mirë”.
Trajneri italian mbrojti gjithashtu Carlo Ancelottin:
“Duhet të kesh durim, por Madridi nuk ka durim, as tifozët dhe as gazetarët…”. Sipas Capellos, “problemi” i bashkatdhetarit të tij është thjesht “se ka fituar shumë”.
“Po mendojnë se ai duhet të arrijë rezultate menjëherë. Kur fiton, kritikohet sepse fiton me stilin italian dhe kur luan futboll më sulmues, … sepse nuk mbron mjaftueshëm,” ironizoi ai para mikrofonit të MARCA-s para galasë madhështore të futbollit që u mbajt në Dubai.