Lamine Yamal është padyshim një nga talentët kryesorë të Barcelonës, teksa vetëm në moshën 16-vjeçare është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm për trajnerin Xavi Hernandez.
Sulmuesi anësor shkëlqen me lëvizjet e tij në krahun e djathtë teksa edhe në golin që Barça i shënoi Paris Saint-Germain në humbjen 1-4, merita ishte tërësisht e tij.
Megjithatë, ish-trajneri italian Fabio Capello, i kërkon opionionit sportiv që të mos nxitohet e të bëjë krahasime mes tij dhe Lionel Messit.
“Yamal është një djalosh shumë i ri, ka shumë kualitet, por ju lutem mos e krahasoni me Messin. Më pëlqeu në aksionin e golit të Barcelonës ndaj PSG, ai e ndërtoi vetë aksionin. Është nga ata lojtarë që të “djeg” në lojën një kundër një, aty tregoi me të vërtetë shumë cilësi. Më pas loja ndryshoi prej kartonit të kuq dhe Xavi ishte i detyruar për ta zëvendësuar.
Edhe pse unë mendoj se ndoshta Xavi u nxitua disi, ndoshta ishte një zëvendësim defensive pak i shpejtë dhe që mund të kryhej më vonë”, u shpreh Capello.