Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, duket se po ndryshon ndjeshëm qasjen e tij ndaj klubit, duke u shfaqur më i pranishëm pranë skuadrës dhe duke krijuar një raport më të afërt me lojtarët.
Prania e tij e rregullt në Milanello gjatë kësaj vere, dhe jo vetëm këtë vit, po konsiderohet si një ndryshim i rëndësishëm. Ndryshe nga periudhat e kaluara, Cardinale po shihet më shpesh në qendrën stërvitore dhe në aktivitetet e ekipit, përcjell ORAinfo.
Në ndeshjen e së dielës ndaj Torinos, të cilën Milani e fitoi 2-1, Cardinale zgjodhi të ishte shumë më pranë skuadrës. Sipas raportimeve të mediave italiane, në fund të nxehjes ai priti lojtarët për t’i përcjellë drejt dhomave të zhveshjes, duke u dhënë atyre mbështetje dhe motivim para fillimit të takimit.
Pas përfundimit të ndeshjes, Cardinale festoi së bashku me ekipin dhe personalisht përgëzoi secilin prej lojtarëve në dhomën e zhveshjes.
Kjo qasje pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Pronari i kuqezinjve do të jetë sërish në Milanello gjatë javës, përpara se të rikthehet në San Siro për ndeshjen e parë të sezonit në shtëpi ndaj Venezias.
Prania më e madhe e Cardinales pranë skuadrës shihet si një ndryshim i mirëpritur në raport me mënyrën se si ai është perceptuar nga tifozët gjatë viteve të fundit. Ai tashmë duket i gatshëm të luajë një rol më të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të klubit dhe të jetë më pranë lojtarëve e stafit. /ORAinfo/