Gerry Cardinale pritet të rikthehet në Itali të premten dhe menjëherë do t’i drejtohet Milanellos, ku do të zhvillojë takime individuale me disa prej lojtarëve të Milanit për të diskutuar projektin aktual dhe të ardhmen e klubit.
Sipas raportimeve të ndryshme, pronari i Milanit do të jetë në qendrën stërvitore të klubit, në një moment kur trajneri Ruben Amorim dhe skuadra po përgatiten për ndeshjen hapëse të sezonit të dielën, përcjell ORAinfo.

Takime me lojtarët
Sipas raportimit të FootballKush, Cardinale nuk do të kufizohet vetëm në vëzhgimin e skuadrës. Ai pritet të zhvillojë biseda kokë më kokë me lojtarë të rëndësishëm, si me ata që konsiderohen pjesë e projektit të ardhshëm, ashtu edhe me futbollistët që mund të largohen nga klubi.
Qëllimi i këtyre takimeve është që Cardinale t’ua shpjegojë drejtpërdrejt lojtarëve vizionin e klubit dhe realitetin e ri nën drejtimin e tij më aktiv.
Gjatë kësaj vere, Cardinale ka rritur ndjeshëm përfshirjen në përditshmërinë e Milanit, duke vizituar disa herë Milanellon dhe duke marrë pjesë personalisht edhe në disa negociata.
Ndërkohë, edhe Ruben Amorim ka folur së fundmi për mënyrën se si po zhvillohet bashkëpunimi me pronarin amerikan dhe për projektin e ri të klubit.
Milani gjithashtu ka bërë lëvizje të rëndësishme në merkato, me ardhjen e mbrojtësit të krahut Diego Moreira për një shumë prej rreth 50 milionë eurosh, plus bonuse.
Tashmë, takimet e Cardinale me lojtarët pritet të japin një ide më të qartë mbi planet e klubit për sezonin e ri dhe përbërjen e skuadrës në vazhdim. /ORAinfo/