Manchester United ka fituar 4 ndeshjet e fundit në Premier League dhe përgatitet për një sukses të pestë, që do të ishte një “shpëtim” për një nga tifozët e “djajve të kuq”. Sot”, United do të përballet me West Ham.
Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, në prag të ndeshjes së sotme, ka folur edhe për tifozin Frank Ilett. Ky i fundit po pret që ekipi i tij të fitojë pesë ndeshje radhazi përpara se të presë flokët, gjë që mund të ndodhë sot.
“Jam në dijeni të kësaj. Fëmijët e mi më kanë bërë të ditur për këtë gjë. Kjo çështje nuk do të përfshihet në bisedat me ekipin nga një nivel profesional, por sigurisht që mund ta kuptoj se çfarë po ndodh me këtë tifoz”, tha Carrick.
“Më bën të buzëqesh si çështje, mua dhe gjithë skuadrës. Gjithsesi, ky fakt nuk do të ketë ndikim te skuadra dhe loja jonë. Ne duam të fitojmë për klubin dhe për të gjithë tifozët, jo vetëm për një të tillë”, tha Carrick.