Pavarësisht rezultateve të mira të arritura që nga momenti që mori drejtimin e ekipit dhe faktit që aktualisht Manchester United renditet në vendin e tretë, sërish nuk mjafton për të bindur Roy Keane, për t’i besuar postin e trajnerit të përhershëm Michael Carrick.
“Carrick ka bërë një punë shumë të mirë për sa i përket rezultateve, por jo, unë nuk do ta nënshkruaja me të përtej verës. Mendoj se ka mundësi më të mira. I heq kapelen Carrick, por fitoret kanë qenë pa rrezik dhe ai ka pasur disa javë pushim për t’u përgatitur. Për të menaxhuar Manchester United, ju nevojitet dikush me shumë më tepër përvojë në aspektin e fitimit të trofeve dhe garave në Evropë, dhe Carrick nuk e ka këtë.
Mund të ndodhë brenda pak vitesh, atëherë ai mund të jetë midis kandidatëve, por jo tani. Duhet të kërkoni më të mirën, dhe Carrick nuk është opsioni më i mirë për Manchester United. Unë do të zgjidhja Diego Simeone ose Luis Enrique”, tha Roy Keane, në deklaratat e raportuara nga “Mundo Deportivo”.