Dani Carvajal ka bërë të ditur se largimi nga Real Madrid nuk do të thotë fund i karrierës së tij si futbollist, pasi mbrojtësi spanjoll synon të vazhdojë të luajë edhe pas mbylljes së aventurës së gjatë në “Santiago Bernabeu”.
34-vjeçari i dha fund një epoke të jashtëzakonshme me klubin madrilen, ku zhvilloi mbi 450 ndeshje dhe fitoi plot 27 trofe, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të viteve të fundit te Real Madridi.
Në një intervistë për “El Chiringuito TV”, Carvajal e bëri të qartë se pensionimi nuk është aspak në planet e tij të afërta.
“Tani dua të shijoj pak pushimet verore, por do të vazhdoj të luaj futboll. Kjo është diçka e sigurt për mua”, deklaroi mbrojtësi spanjoll.
Megjithatë, ai theksoi se ende nuk ka vendosur për destinacionin e radhës në karrierë.
“Do të analizoj opsionet më të mira për mua dhe familjen time, e më pas do të marr vendimin përfundimtar”, u shpreh Carvajal.
Së fundmi, emri i tij është lidhur me një transferim të mundshëm në Arabinë Saudite, por edhe me klubin italian Como 1907. Pavarësisht spekulimeve, lojtari insistoi se asgjë nuk është konkrete në këtë moment.