Friday, 11. September 2026
Futboll

CAS rrëzon vendimin ndaj Agron Zeqirit: Në përzgjedhjen për “Paris 2024” u gjetën parregullsi

GS 11/09/2026 3 Min. Lesezeit

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë ka aprovuar ankesën e Agron Zeqirit dhe ka anuluar vendimin e World Aquatics ndaj tij, duke rrëzuar akuzat për diskriminim, racizëm, keqpërdorim të pozitës, nepotizëm dhe favorizim.

Sipas Vendimit të CAS-it 2025/A/11534, paneli nuk ka konstatuar parregullsi në veprimet e Agron Zeqirit dhe të Federatës së Notit të Kosovës (FNK). Përkundrazi, është vlerësuar se procesi i selektimit të zhvilluar nga FNK-ja ishte në përputhje me rregullat në fuqi.

Megjithatë, vendimi i CAS-it nxjerr në pah disa parregullsi dhe mospërputhje në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të Kosovës për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Sipas vendimit, në fazën fillestare të kualifikimeve, Mal Gashi dhe Eda Zeqiri ishin sportistët që plotësonin kriteret sipas rregullave të atëhershme. Në garat e zhvilluara në Fukuoka dhe Doha, Eda Zeqiri kishte grumbulluar 682 pikë FINA, duke qenë përpara Hana Beiqit.

Pas heqjes së kushtit kualifikues nga World Aquatics, në fazën shtesë të kualifikimit Hana Beiqi arriti 695 pikë FINA. Mbi këtë bazë, ajo u përfshi në vendimin e FNK-së për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike.

FNK-ja më pas propozoi Mal Gashin dhe Hana Beiqin si sportistë, ndërsa Besart Shalën si trajner. Ky propozim iu përcoll KOK-ut dhe World Aquatics përmes sistemit GMS.

Megjithatë, emrat që përfundimisht u dërguan në Paris ishin Adell Sabovic si sportist dhe Astrit Haliti si trajner.

Sipas konstatimeve të CAS-it, Adell Sabovic nuk ishte propozuar nga FNK-ja. Për më tepër, ai nuk kishte përmbushur disa prej kritereve relevante, përfshirë kushtin e rezidencës trevjeçare në Kosovë, ndërsa nuk kishte qenë pjesë e ndonjë klubi sportiv në Kosovë.

Vendimi thekson se, për rrjedhojë, Sabovic nuk kishte qenë pjesë e sistemit sportiv të Kosovës të menaxhuar dhe njohur nga institucionet kompetente sportive. Gjithashtu, lidhja e tij me Kosovën ishte krijuar në një periudhë të afërt me procesin e pjesëmarrjes në “Paris 2024”, ndërsa shtetësinë e Kosovës e kishte marrë në funksion të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike.

Në anën tjetër, Mal Gashi, i cili ishte një nga sportistët e kualifikuar dhe kishte grumbulluar më së shumti pikë FINA në kategorinë e meshkujve në Kosovë, nuk u dërgua në Lojërat Olimpike.

Parregullsi janë evidentuar edhe në përzgjedhjen e trajnerit. FNK-ja kishte propozuar Besart Shalën, i cili kishte më shumë pikë se Astrit Haliti, por KOK-u vendosi që në Paris të dërgonte Halitin.

CAS ka sqaruar se përgjegjësia për vendimin përfundimtar lidhur me pjesëmarrjen e sportistëve në Lojërat Olimpike i takon KOK-ut, në bashkëpunim me propozimet e federatës përkatëse sportive.

Në këtë rast, sipas konstatimeve të paraqitura në vendim, FNK-ja nuk ishte njoftuar për ndryshimin e emrave dhe nuk i ishte dorëzuar vendimi i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, pavarësisht kërkesave të saj.

Sipas Statutit të KOK-ut, Bordi Ekzekutiv është organi kompetent për të vendosur për sportistët që përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike.

Teilen: