Mesfushori i Manchester United, Casemiro, dha një intervistë për ESPN, duke folur edhe për të ardhmen e trajnerit të “djajve të kuq”. Michael Carrick u soll për të vepruar si trajner kalimtar pas shkarkimit të Amorim, por ai ka fituar 10 nga 14 ndeshjet e tij deri më tani dhe është kualifikuar për Champions League të sezonit të ardhshëm.
“Ai e meriton plotësisht të qëndrojë,” tha Casemiro, që më tej shtoi: “Ai tashmë ka demonstruar se ka cilësi të shkëlqyera për të menaxhuar Manchester United. Zgjedhja nuk varet nga unë, por nëse mund të jap mendimin tim, ai meriton besimin e plotë të klubit për atë që ka bërë dhe që e shohin të gjithë.”
I pari që përfitoi nga mbërritja e Carrick ishte vetë Casemiro, i rikthyer titullar, duke shënuar pesë gola dhe një asist: “Unë kam qenë një nga ata që kanë përfituar më shumë që nga mbërritja e tij. Carrick është dikush që e njeh klubin, është një idhull këtu, ka luajtur dhe ka fituar tituj. Ai e di se çfarë është Manchester United dhe meriton duartrokitje. Ai ka qenë një surprizë në një sezon kaq të trazuar.”
Së fundmi, Casemiro foli edhe për të ardhmen e tij, duke ua mbyllur derën përfundimisht shumë tifozëve që kanë brohoritur në Old Trafford për javë të tëra, duke i kërkuar atij të nënshkruajë për një vit tjetër: “Nuk mendoj se ka ndonjë shans, po largohem. Mendoj se këto kanë qenë katër vite të mrekullueshme dhe do të jem përjetësisht mirënjohës jo vetëm klubit, por edhe tifozëve.”