Barcelona do të presë Napolin nesër në orën 21:00, në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve në raundin e 1/8-ave. Në prag të kësaj sfide, portieri i blaugranave Mark Andre Ter Shtegen ka dalë krah trajneri Çavi Hernandez në konferencën e zakonshme për shtyp.
Çfarë ndjesish të la ndeshja e parë ?
“Në ndeshjen e parë, Napoli kishte shumë pak kohë për të punuar me Kalzonën, ai është përmirësuar shumë në javët e fundit. “Axurrët” kanë një ekip vërtet konkurrues. Por kjo nuk ka rëndësi për ne, sepse ne duhet të mendojmë vetëm për të luajtur mirë dhe po bëjmë më të mirën. Fakti që ata ndryshuan trajner ndikon tek ne.”
Sa presion ndjeni këtë vit ?
“Sa më shumë të fokusohemi në fushë, aq më mirë. Nëse fillojmë të mendojmë për gjëra të tjera, e kemi gabim. Të gjithë duam të kalojmë nesër në Ligën e Kampioneve, nuk ka asgjë tjetër për të shtuar.”
Cili është mendimi juaj për portierin italian Meret ?
“E kam ndjekur, ka alternuar me Ospinën vitet e fundit. Është në një nivel shumë të mirë, ka luajtur shumë ndeshje dhe jam i lumtur për të”.
Kë e shihni si të preferuar nesër ?
“Kemi humbur disa lojtarë në mes të fushës, edhe nëse kemi të tjerë për të bërë diferencën. Unë shoh një ndeshje shumë të ekuilibruar, por ne po luajmë në shtëpi dhe duhet të përfitojmë. Kemi ardhur nga disa ndeshje me ndjenja të mira dhe tre ndeshje pa pësuar gol. Le të shpresojmë të vazhdojmë kështu.”
Jeni të shqetësuar për Osimhen ?
“Në ndeshjen e parë arritëm të mbrohemi shumë mirë, do të përpiqemi edhe nesër që të mos i japim Napolit asnjë mundësi shënimi. Në Napoli ata kishin vetëm një, ne do të përpiqemi t’ua komplikojmë jetën edhe më shumë.”
Sa të lumtur ju bëjnë 400 paraqitje në fanellën e Blaugranës ?
“Shpresoj të mbledh shumë të tjera, të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Jam krenar që e kam veshur këtë fanellë kaq shumë herë. Dhjetë vjet më parë, kur më bleu Zubi, ne folëm për këtë.”
Si reaguat pas njoftimit të Çavit se do të largohet?
“Isha i zhgënjyer, por ne e dimë se duhet të japim gjithmonë maksimumin. Në fakt, duhet ta bëjmë edhe më shumë për të. Çavi është një trajner i madh, i cili ka arritur të na kthejë në nivele të larta. Nuk është e lehtë për mua ta pranoj këtë, si lojtar dhe si njeri”.
Çfarë mendoni për Flik si një zëvendësues të mundshëm të Çavit nga sezoni i ardhshëm ?
“Nuk është koha e duhur për të folur për këtë. Flik është një person i madh, ne të gjithë e respektojmë shumë, veçanërisht ne lojtarët e kombëtares gjermane. Sot, megjithatë, nuk është koha për të folur për këtë, sepse nesër do të luajmë, është ndeshja më e rëndësishme e sezonit”.
PANORAMASPORT.AL