Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Hajrulla Çeku bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshje për asistencë për revitalizimin e “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” për Lojërat Mesdhetare 2030.
Mes tjerash, theksoi se janë në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Lojërat Mesdhetare, meqë ende nuk është themeluar Komiteti Organizativ i këtyre lojërave.
Pas mbledhjes së qeverisë, Çeku u shpreh se para disa ditëve është nënshkruar marrëveshja për asistencë me Bankën Evropiane për Investime.
“Së fundmi kemi nënshkruar edhe një marrëveshje për asistencë me Bankën Evropiane për Investime për hartimin e projektit për revitalizimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Kjo marrëveshje përveç që siguron hartimin e këtij projekti hap edhe rrugën për kredi ndërkombëtare për zbatimin e punimeve viteve në vijim, në mënyrë që Pallati të jetë gati për Lojërat Mesdhetare në vitin 2030 por do të vazhdojë t’i shërbejë me infrastrukturë e kushte moderne sportit, artit dhe rinisë sonë”, deklaroi ai.
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se janë në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Lojërave Mesdhetare.
“Fatkeqësisht, deri tash ne nuk e kemi mbërri përmbushjen e një afati kontraktual me ICMG, me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, sa i përket themelimit të Komitetit Organizativ të këtyre lojërave, për faktin që për t’u themeluar ai komitet duhet të hyjë në fuqi ligji fillimisht. Ne kemi kërkuar me mirëkuptim edhe zyrtarisht nga Partia Demokratike që ta konsiderojmë mundësinë e tërheqjes së Ligjit të Lojërave Mesdhetare nga ky pretendim që e kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese, nuk kemi has në mirëkuptimin e tyre, ndërsa tash na mbetet të presim që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë sa më shpejt dhe të dalim me verdiktin përfundimtar, në mënyrë që t’i hapet rrugë themelimit të këtij komiteti organizativ”, tha mes tjerash Çeku.
Ai bëri të ditur se këto ditë janë shpallur edhe procedurat e prokurimit për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës.
“Kategoria 2 eurofazë, kapaciteti rreth 6500 ulëse dhe vlera e investimit rreth 13 milionë euro. Ndërkohë, ditëve në vijim pritet të shpallet rezultati i procedurës së prokurimit për ndërtimin e katër stadiumeve të tjera të futbollit: Ferizaj, Peja, Prizreni dhe Vushtrria. Këto investime janë pjesë e planit tonë pesë-vjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në vendin tonë që synon të shndërrojë Kosovën në vendin me infrastrukturën më të avancuar të futbollit në rajon deri në vitin 2028”, shtoi Çeku në konferencë për media.
Në konferencën pas mbledhjes së qeverisë në detyrë, Çeku ka akuzuar edhe Komunën e Prishtinës për lidhje të kontratave të kundërligjshme.
“Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen këto procedura dhe me i lidhë këto kontrata duhet të pajisen edhe me pëlqime përkatëse nga autoritetet e trashëgimisë kulturore kjo është shkelja e parë, ndërsa shkelja e dytë, për të cilën ne tani kemi dorëzuar edhe kallëzim penal, edhe kërkesë për fillimin e hetimeve në prokurori dhe polici, respektivisht është se e kemi konstatuar një lloj përsëritjeje të metodave të njëjta të veprimit nga komuna dhe ne e kemi ngritë dyshimin dhe jemi shumë të bindur që ka një parregullsi të theksuar në raport me lidhjen e kontratave të dëmshme. Deri tash janë shkaktuar disa milionë euro dëm”, u shpreh ai.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë, ndër tjerash Çeku tha se është marrë një vendim i rëndësishëm me të cilin hapet rrugë për ndërtimin e memorialit të të rënëve më 1998 në Junik.
“Në përkujtim dhe nderim të të rënëve të betejës së kësaj date, e që do të shërbejë si simbol i luftës së lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ruajtjes së kujtesës historike për brezat e ardhshme. Në marrjen e këtij vendimi ne kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Pyjeve në mënyrë që ato parcela të asaj zone ku është zhvilluar kjo betejë, konkretisht Rrasa e Zogut t’i jepet në shfrytëzim Ministrisë së Kulturës, ndërsa Agjencia jonë e Memorialeve ditëve në vijim do ta vazhdojë procedurën sipas ligjit për ndërtimin e këtij memoriali shumë të rëndësishëm”, deklaroi ai.
Lojërat Mesdhetare do të organizohen në Kosovë në vitin 2030. Ky organizim është cilësuar çështje me rëndësi për shtetin e Kosovës.