Humbja 1-0 e Çelsit ndaj Aston Vilës të dielën vulosi zyrtarisht nisjen më të dobët të një sezoni të kampionatit nga blutë e Londrës që nga sezoni 1978-‘79.
Historia nuk është një kujtim i bukur për tifozët e bluve, të cilët panë skuadrën të rrëzohej atë sezon, ndërsa e mbyllën në fund të renditjes me 20 pikë.
Por as në ditët e sotme gjërat nuk po shkojnë mirë për skuadrën e Mauricio Poçetinos. Ata nuk shënojnë prej tri ndeshjesh, ndërsa numri i ndeshjeve pa gol në Premier Ligë që nga fillimi i këtij viti kalendarik 2023 ka shkuar në 13, një rekord. Gjatë kësaj periudhe ata kanë siguruar vetëm 5 fitore në Premier Ligë.
Blutë mund të ngushëllohen vetëm me faktin se nisja e tyre këtë sezon është pak më e mirë se më e keqja e historisë së tyre, 45 vjet më parë. Këtë sezon ata kanë regjistruar 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, ndërsa në 1978-‘79, kur legjenda Rei Uilkins ishte kapiteni i tyre, ata arritën 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje.
Dhe është e drejtë të thuhet se bota ishte një vend shumë ndryshe atëherë në krahasim me tani. Si fillim, duhet theksuar se 20 pikët totale të grumbulluara nga Çelsi atë sezon, e bëjnë të duket më keq për shkak të vetëm dy pikëve për një fitore që akordoheshin në atë kohë në kampionat.
Formula me tri pikë për një fitore do të aplikohej tri vjet më vonë, në 1981, në një përpjekje për të shmangur barazimet e mërzitshme që pranonin skuadrat, duke pasur parasysh diferencën e vogël midis një dhe dy pikëve.
Pronari i Çelsit, Tod Bohli, ishte ende në kopsht në vitin 1978, pasi ishte vetëm pesë vjeç. Edhe trajneri i Çelsit, Mauricio Poçetino, ishte vetëm katër vjeç dhe jetonte në qytetin rural të Mërfit në Argjentinë. Golashënuesi më i mirë i Çelsit dhe ish-trajneri, Frenk Lampard, ishte vetëm tre muajsh (lindi në qershor 1978).
Në politikë, Xhim Kallagan i Partisë Laburiste ishte kryeministër, ndërsa Margaret Theçer, lidere e opozitës. Zhanri i muzikës “Punk Rock” ishte në ditët e tij të fundit pas shpërbërjes së grupit “The Sex Pistols” në janar 1978, megjithëse “punk rockers” ishin ende një pamje e zakonshme në Rrugën e Mbretit në lagjen e Çelsit. Çmimi mesatar i një krikëlli birre në Britani ishte vetëm 40 qindarka, ndërsa një paketë me 20 cigare kushtonte vetëm 57 qindarka.
Të apasionuarit e kinemasë mblidheshin ende për të parë filmin “Grease” me Xhon Travoltën dhe Olivia Njuton-Xhon, i cili kryesonte klasifikimet e shikueshmërisë në atë kohë. Në muzikë, Lionel Riçi me grupin “Commodores” kryesonin paradat muzikore me këngën “Three Times a Lady”.
Popullarizimi i videolojërave nisi me lojën “Space Invaders” atë vit, që u hapi rrugën lojërave të sotme “EA”, ndërsa versioni i parë i sistemit të telefonave celularë sa ishte prezantuar nga kompania amerikane e telefonave “Illinois Bell”, duke filluar veçse një revolucion të celularëve inteligjentë që përdorim sot.
SI DUKEJ BOTA NGA HERA E FUNDIT QË ÇELSI ISHTE KAQ I DOBËT
* Mauricio Poçetino ishte vetëm 4 vjeç.
* Tod Bohli ishte ende në kopsht.
* Frenk Lampard ishte vetëm 3 muajsh.
* Fitoret në kampionat vlerësoheshin me 2 pikë dhe jo 3 pikë.
* Çmimi mesatar i një krikëlli birre në Britani ishte 40 qindarka.
* Lionel Riçi me grupin “Commoders” kryesonte klasifikimin me këngën “Three Times a Lady”.
* Filmi “Grease” me Xhon Travoltën dhe Olivia Njuton-Xhon, ishte i pari në kinematë e kohës.
* “Space Invaders” ishte videoloja që doli atë vit, e cila revolucionarizoi tregun e lojërave elektronike.
* Kompania amerikane e telefonave “Illinois Bell” krijoi versionin e parë të sistemit të telefonave celularë.
* Xhim Kallagan i Partisë Laburiste ishte kryeministër i Anglisë, ndërsa Margaret Theçer, lidere e opozitës.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL