Friday, 13. March 2026
Sport

Celta Vigo e Lyon barazojnë, kualifikimi vendoset në Francë

GS 13/03/2026 2 Min. Lesezeit

Celta Vigo dhe Lyon kanë mbyllur në barazim 1-1 përballjen e parë të vlefshme për fazën e 1/8-ave të Europa League, takim që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH. Një ndeshje e luftuar deri në fund, ku gjithçka mbeti e hapur për sfidën e kthimit.

Goli për vendasit erdhi në minutën e 25-të. Pas një aksioni të ndërtuar mirë nga vendasit, suedezi  Sëedberg dha një asist të saktë për Ruedan, i cili nuk gaboi përballë portës dhe dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në stadium. Në minutën e 33-të, sulmuesi Borja Iglesias iu afrua golit të dytë, por tentativa e tij u ndal nga portieri i Lyonit.

Reagimi i francezëve erdhi dy herë me Endrick në minutën e 39-të dhe më pas në të 52-ën, duke krijuar shumë rrezik në mbrojtjen spanjolle. Situata u komplikua për Celta Vigon në minutën e 55-të, kur Borja Iglesias u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u largua nga loja pas një ndërhyrjeje me bërryl ndaj kundërshtarit, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.

Lyon krijoi disa mundësi për gol dhe kur dukej se vendasit po shkonin drejt fitores minimale, në minutën e 88-të erdhi barazimi. Endrick përfitoi nga një moment brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 1-1.

Gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, ku do të vendoset skuadra që do të kalojë në çerekfinalet e Europa League.

Teilen: