Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriq ka gjasa që karrierën ta vazhdoj në futbollin skocez.
Kampioni i Skocisë, Celticu ka shprehur interesim për transferimin e tij gjatë kësaj vere, kanë njoftuar të hënën mediumet britanike.
Muriq te Celticu po shihet si zëvendësim i duhur për anglezin Joe Hart, i cili do të tërhiqet nga futbolli aktiv muajin e ardhshëm. Muriq është pjesë e Burnleyt, ekip që edicionin e ri do të bëjë gara në Championship të Anglisë, pasi nuk arriti ta siguroj mbijetesën në Premier League.
Ai regjistroi 10 ndeshje në elitën e futbollit të Anglisë dhe pati paraqitje të mira, pasi në disa raste edhe zuri vend në ekipin më të mirë të javës.
Muriq prej vitit 2022 është pjesë e Burnleyt dhe ka kontratë deri në vitin 2026, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth 7 milionë euro.