Bepe Marota, administratori i Interit, dha një intervistë për “DAZN”, pak para sfidës me Empolin, ku u ndal të fliste për çështjen e shumëpërfolur “Açerbi”, si dhe dha shpjegime se përse klubi vendosi të heshtë dhe të mos japë asnjë deklaratë në lidhje me këtë situatë.
“Ne heshtëm qëllimisht, dua të shpreh një përmbledhje të përshtypjeve tona dhe të them se është një faqe e hidhur për botën e futbollit dhe për klubin tonë. Nga çdo këndvështrim që e lexoni dhe analizoni. Mes të pafajshmit dhe fajtorit është një fakt që vjen i pari. Ne i kërkuam lojtarit tonë të na jepte një rrëfim për atë që ndodhi në fushë. Ai shprehu se cila ishte e vërteta, e vërteta e tij, e vërteta objektive. Nuk kishim dyshime për atë që tha dhe nuk kishim asnjë konfirmim nga ato që na tha dhe nga pamjet e sjelljeve diskriminuese, prandaj e mbështetëm me avokatin Kapellini dhe më pas gjyqtari mori vendimin e tij.
Më duhet të them se Interi është gjithmonë në krah të çdo nisme që lufton racizmin, ne jemi kundër racizmit dhe jemi në krah të Zhezusit nga ky këndvështrim. Ka një aspekt ligjor që duhet respektuar, por mbi të gjitha e vërteta e një profesionisti si Açerbi, nuk mendoj se mund të bëjë shaka me këto tema.
Kjo është një faqe e hidhur për mua, sigurisht që Açerbi që tani është burrë dhe person i ndjeshëm është kushtëzuar nga kjo situatë dhe nga sulmi nga të dyja palët. Ai mund të ketë pasur një tension, por unë besoj se ai e ka përballuar jetën me vendosmëri të madhe. Ai ka pasur probleme të rënda shëndetësore, është një burrë me shkronjën “B” dhe do të dijë si të dalë nga kjo situate.”
PANORAMASPORT.AL