Monday, 16. November 2026
Sport

Çështja e pagave të magjistratëve, Prokuroria e Beratit shpall moskompetencën dhe ia kalon dosjen SPAK-ut

GS 16/11/2026 2 Min. Lesezeit

Prokuroria e Beratit ka shpallur moskompetencën duke vendosur të mos vijojë hetimet për kallëzimet që lidhen me përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Prokurorisë, hetimi nisi pas kallëzimit të një punonjëseje të Gjykatës së Beratit, e cila pretendoi se nuk kishte mundur të merrte pagën për muajin gusht 2026 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e re të përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Ajo denoncoi drejtuesen e Degës së Thesarit në Berat, duke pretenduar se i kishte shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.

Gjatë hetimeve, punonjës të Gjykatës së Beratit kanë konfirmuar problemet me shpërndarjen e pagave të muajit gusht. Sipas dëshmive, konflikti nisi pasi gjykata përllogariti pagat e magjistratëve bazuar në vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese, por listëpagesa nuk u miratua nga Thesari.

Drejtuesja e sektorit të buxhetit në gjykatë ka deklaruar se nga Thesari ishte kërkuar që pagat të dërgoheshin sipas nivelit të muajit korrik, në mënyrë që të mundësohej ekzekutimi i tyre. Ndërkohë, një tjetër problem lidhej me ndarjen e listëpagesave të gjyqtarëve nga ato të administratës, procedurë që, sipas materialit hetimor, binte ndesh me udhëzimet në fuqi.

Sipas Prokurorisë Berat, duke qenë se SPAK kishte regjistruar një procedim penal për të njëjtin fakt, duke hetuar një rreth më të gjerë personash, u vendos të shpallet moskompetencë dhe t’ia kalojë dosjen SPAK-ut, i cili do të vijojë trajtimin e çështjes.

/rtsh.al/

Teilen: