Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka hedhur poshtë me vendosmëri çdo mundësi që Granit Xhaka të largohet nga klubi për t’u bashkuar me Chelsea-n këtë verë. Le Bris e bëri të ditur këtë gjë pas miqësores që Sunderland luajti në SHBA ndaj Liverpool, ku u mund me rezultatin 4-2.
Xhaka mungonte në këtë takim pasi është ende me pushime për shkak të Botërorit, por e ardhmja e tij është qartësuar tashmë dhe ai do të vazhdojë të qëndrojë te Sunderland.
“Kjo çështje është mbyllur. Xhaka ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij. Ai e do Sunderland-in, dëshiron të qëndrojë këtu. Ai dëshiron të krijojë të ardhmen e Sunderland-it. Ai është një kapiten i mirë, një udhëheqës i shkëlqyer”, tha Le Bris.
Kujtojmë që Chelsea dërgoi pak javë më parë një ofertë zyrtare prej 8 milionë paundësh për Xhakën, por u refuzua direkt nga Sunderland.