Luis Hamilton shkëlqeu në garën e Sprintit në Kinë, por e diela ishte një histori tjetër për pilotin britanik.
Pa ritëm të mjaftueshëm për të luftuar për epërsinë, shtatë herë kampioni i botës vendosi të linte shokun e skuadrës, Sharl Lëklerk, që ta kalonte.
Edhe pse fillimisht nga televizioni dukej se Ferrari kishte dhënë urdhra ekipi, sipas shefit të “kokëkuqes”, Frederik Vasër, ishte vetë Hamilton që e mori vendimin.
Francezi konfirmon se ideja e shkëmbimit të pozicioneve ka ardhur nga Hamilton, edhe pse shoku i tij i skuadrës ka qenë ai që ka përfituar.
Megjithatë, dëgjimi i radios nuk la atë përshtypje. Vasër përsëriti pakënaqësinë e tij gjatë transmetimit në radio: “Ata transmetuan vetëm pjesën e dytë të pyetjes. Unë do të flas me ta për këtë pjesë. Duhet të dëgjohet e gjithë historia e plotë”, u shpreh Vasër. Britaniku pati një fillim premtues të fundjavës, duke dominuar seancat e së premtes dhe të së shtunës. Në garën e Sprintit ai e shndërroi pozicionin e tij “pole” në fitore, duke rritur pritshmëritë për Çmimin e Madh.
Megjithatë, të dielën gjërat nuk shkuan ashtu siç pritej. Në fillim, një përplasje me Lëklerk dëmtoi krahun e përparmë të makinës së monegaskut, por edhe me këtë problem ritmi i tij ishte më i lartë se ai i Hamiltonit. Komunikimi në radio linte përshtypjen se Ferrari kishte urdhëruar Hamilton të hiqte dorë nga pozicioni.
Megjithatë, Vasër sqaroi se vendimi ishte i pilotit britanik. “Unë mendoj se do ta lë Lëklerkun të kalojë sepse kam probleme”, i tha në radio Hamilton inxhinierit të tij, ndërsa ky i fundit u përgjigj: “E kuptova”. Shefi i Ferrarit insistoi se ekipi nuk kishte vendosur urdhra.
“Nga jashtë, mund të dukej si një udhëzim, por thjesht nuk u transmetua i plotë komunikimi radiofonik. Unë jam mësuar me këtë gjë që nga fillimi i sezonit, por nuk dua të polemizoj”, shpjegoi Vasër. Hamilton, duke parë që Lëklerk kishte një shans më të mirë për të shënuar pikë, vendosi të hiqte dorë me iniciativën e tij dhe njoftoi ekipin e Maranelos, ndërsa rezultati garës u mbyll me vendin e pestë nga Lëklerk dhe të gjashtin nga Hamilton.
Por në fund gjithçka u shumëzua me zero, pasi, siç dihet, të dyja makinat Ferrari u skualifikuan. Ato dështuan në testet teknike të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit.
Në kontrollet e makinave, SF25 e Sharl Lëklerk rezultoi 1 kg më pak se 800 kilogramët e parashikuara në rregullore.
Ndërsa në njëvendëshen e Luis Hamiltonit, kontrollet evidentuan një problem me konsumimin e tepërt të patinave në pjesën e poshtme të makinës, ku pjesa pasme u zbulua të ishte në tri pika më e shkurtër se 9 mm e lejuara sipas rregullores.